![]() |
| Kumrie Avdyl Shala |
BETIMI PARA ZOTIT
Një zemër që deshi me nder.
Lotët më rridhnin rrëke faqeve. Mallkoja veten që nuk po mundesha të të largoja nga jeta ime. Ata që na ndanë, na tretën, na armiqësuan, sikur të na kishin bërë magji. Lumturinë tonë e lakmuan.
Kur takoheshim, të lidhur dorë për dore, me gishta të shtrënguar fort, qeshnim e qanim me lot gëzimi. Eh, sa shumë u deshëm! U betova edhe në Zot se nuk do të të lë kurrë. Ishte një betim i shenjtë, që duhej mbajtur.
Atë natë, buzë detit, të përqafova fort dhe u betova se nga ti nuk do të hiqja dorë. Do të të dua gjithë jetën, sido që të rrjedhë jeta jonë.
Lotët të rridhnin faqeve. Qaje si një fëmijë dhe më shikoje me sytë e përflakur. Më the:
“Unë kam vetëm Zotin dhe ty.”
Prandaj nuk mund t’i ndal lotët kur kujtoj ndarjen tonë. Sa herë kujtoj premtimin dhe besën e dhënë, dermohem e tëra.
Mbrëmë qava fort dhe iu luta Zotit të dëgjoja zërin tënd, të na kthehej dashuria e vjetër. Vetëm me ty kam ndjerë një dashuri kaq të thellë. Edhe kur nuk të kisha pranë, të ndieja. Ta puthja shpirtin nga larg.
Intuita më çonte tek ti, sikur Zoti, përmes saj, të më tregonte gjithçka për ty.
U luta fort ta dëgjoja zërin tënd si dikur. E dija se, në mëngjes apo në mbrëmje, do të më telefonoje.
Dhe telefoni, po atë ditë, cingëroi.
Më fole me një zë të dridhur dhe më the:
“Të thirra ta dëgjoj zërin edhe një herë… se më duket se po vdes.”
Ishe i sëmurë. Mundoheshe t’i jepje vetes kurajo.
Nuk di si të të largoj nga zemra ime. Sa herë që hap sytë në mëngjes, mendja më shkon tek ti. Edhe kur ushqehem, kur bëj pazare, madje edhe kur shkruaj poezi, je ndër rreshtat e mi.
Asgjë nuk kërkova nga ti, përveç dashurisë.
E dashurinë tonë e ndanë hijenat. Të pata paralajmëruar: largohu, kanë qëllime të errëta. Por ty ta morën mendjen. Mua nuk ma lëkundën dot dashurinë për ty.
E le të vyshket një dashuri që përqafonte shpirtin edhe nga larg.
Andaj mos më lut të mësoj si të harroj, sepse unë të desha fort. Ti e pate të lehtë të përbuzësh besën, fjalën e dhënë, për një hiçgjë.
Unë nuk mundem. Edhe kështu si je, të dua ende.
Por sot nuk do t’i lutem Zotit të ma kthejë atë që u largua.
Do t’i lutem vetëm të më japë qetësi dhe forcë ta pranoj vullnetin e Tij.
Sepse dashuria nuk është dobësi. Është bekim kur jepet me shpirt të pastër.
Unë të desha pa hile, pa interes, pa frikë — dhe për këtë nuk pendohem.
Betimi para Zotit nuk ishte gabim. Ishte i vërtetë në atë çast, ishte e sinqertë vetë dashuria.
Edhe nëse ti zgjodhe një tjetër rrugë, unë nuk turpërohem nga ajo që ndjeva për ty.
Sepse betimi që më mbeti në shpirt nuk më rrëzon.
Ai më bën më të fortë.
Dhe për këtë… e mbaj kokën lart.







