![]() |
| Mirushe H.Musa |
VASHË KURBETQARE
Si vashë e brishtë rritesha bregut,
Me flokët e arta si dallgët, i ngjaja detit.
Me grimca ylli kisha qendisur jelekun,
Në fytyrë hanën, si një sferë argjendi.
Vendlindja është manushaqe me erë,
Shpirtin ma lidhi me rrënjët e të parëve.
Me grimca dielli që thyhen në pranverë,
Me hanën xhevahire që fle mbi pullaze.
S’e kisha paramenduar kurrë më parë
Shtegëtimin kaq të rëndë e delikat,
Të mbyllem larg si një zog në kafaz,
Por fati më bëri një vashë kurbetqare.
Mendja më rrinte pas vegimit të vjetër,
Ato udhë të moçme me baltë i kujtoj,
Muzgjet e kuqe që zbrisnin mbi ujëra,
Vetë qëndroja mes tyre si një shqiponjë.
Dhimbja në shpirt plas nga melankolia,
Si himn i moçëm ardhur nga legjenda.
Kur kurbeti të rëndon mbi shpatulla,
Dhe flatrat e korbit të zi zbardhen nga brenga.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire