RADIO VLERA

vendredi 13 février 2026

Shyrete Demaj Buqetë poetike

Shyrete Demaj











Luleborë


Dje isha luleborë

që me borën nusëronte.

Ajo më puthte lehtë

mbi flokë la thinja

të arta, dashurie për jetën.

Dhe shkrihet…

Pse kaq shpejt?!


Është gjendje kjo dashuri.


Transformim

i pashmangshëm:

avull,

ujë,

borë —

të gjitha në një shpirt

dhe për një shpirt.

Si duket, jam eter,

përthith këtë dashuri

që m’u bë thinjë floku…


Është gjendje kjo dashuri:

bekim,

fjollë bore

që jeton kaq pak —

një përjetësi…



Kjo zemër


Asht shkamb

kjo zemër,

rrehun n’tallaze malli,

lmyshqe t’gjelbra pengjesh

vjerrun bregut t’shpirtit

trazojnë ndijime t’rënda

sa herë vjen stuhia…


M’grryen n’vena

koronare,

m’veshen

unaza dashnie

pa kunorë,

gjakim kujtimesh,

puls aritmie,

e çmendun

diagramë…


Jeta dhe vdekja,

të dyja bashkë,

në një tik-tak

përjeton atak

kjo zemër —

asht shkamb…


E ç’ka tash?!


E ç’ka tash?!

Kuptimi nuk ka më kuptim,

edhe dështimi dështoi keq,

u vlerësua arritje, për dreq…


E ç’ka tash?!

Gënjeshtra nuk është më gënjeshtër,

babai nuk është më baba,

por thjesht…


E ç’ka tash?!

E vërteta nuk pranohet si e vërtetë,

vlerësohet nga gënjeshtra vetë…


E ç’ka tash?!

Nuk ekziston as ekzistenca,

nëse nuk e thotë lartmadhëria,

VIP-eksëlenca…


E ç’ka tash?!

Kur llumi i mbetjeve na erdhi deri në fyt,

ca fytyra as turpi, as poshtërimi s’i mbyt…


E ç’ka tash?!

Kritika luftoi me autokritikë —

a duhet presje apo pikë…


E ç’ka tash?!

As dhimbja më nuk dhemb,

as frika më s’të tremb…


E ç’ka tash?!

Monedha, kaq e vogël, me pronar rrotën,

po e sillka botën…


E ç’ka tash?!

Arsyeja dhe absurdi kanë ndërruar vendet,

i mençuri s’ka rrugë tjetër

pos të çmendet…


E ç’ka tash?!

Kupa po derdhet, kam edhe shumë,

më shumë se kaq sa thashë…


Ah, sikur këto fjalë t’i bëja plumb

për me vra ca ndërgjegje të vdekuna,

me i zgju ca veshë të shurdhëta…

Por ah, ah…


E ç’ka tash?!

Tash, Zoti mirë e baftë…



Lulerradhiqja


Dje ishe

ngazëllim,

farë që u hodh

nga era e kohës

e zu vend…


Sot je jetë,

plot klorofil

e plotkuptimtë

ndjenjë…


Nesër

do të jesh

dëshirë e bardhë

që prapë era e merr

dhe e kthen

në legjendë…





 

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Kumrie Avdyl Shala : BETIMI PARA ZOTIT

  Kumrie Avdyl Shala BETIMI PARA ZOTIT Një zemër që deshi me nder. Lotët më rridhnin rrëke faqeve. Mallkoja veten që nuk po mundesha të të ...