![]() |
| Mark Gjetja |
Në bregdet
Në bregdet do shkojmë, e dashur,
zhurmën e dallgëve do ta ndiejmë,
mbështetur krah për t’u mbajtur,
nëpër muzg një tendë do ngremë.
Zgjohet deti, ngrihen dallgë,
ecim bregut duke rendë,
më mungon, tani je larg,
le të sjell kujtimin tënd.
Më vjen në ëndrra, nëpër natë,
nëpër kopshte pa mbarim,
porsi dallgët, gjerë e gjatë,
të përkund në prehërin tim.
Cila dallgë të sjell drejt meje,
se prej kohësh kjo plagë dhemb?
Cili fllad do fryjë drejt meje,
të më sjellë imazhin tënd?
Do të bëhem dallgë sonte,
dhe si dallgët të lëkund,
dielli detin e mbulonte,
shuan mallin që s’kish fund.
Perëndimi i mahnitur
qetësoi valët afër teje,
e shoh diellin duke zbritur,
porsi flakë e një rrufeje.
Oh, ti mikja ime e dashur,
pritjet nuk i duroj dot,
mëngjesi ka për të zbardhur,
rëra e detit na mban ngrohtë.
Unë të shoh edhe kur je larg
Unë të shoh edhe kur je larg,
të sheh mendja dhe jo syri,
të mbaj mend, nuse në prag,
më të bukur se trëndafili.
Na bashkoi kjo natë e qetë,
dashurinë për të rrëfyer,
supit tim kokën mbështet,
si kurorë me qindra yje.
Ike vetëm nëpër muzg,
më le veç imazhin tënd,
natë e gjatë, natë pa fund,
muri i zemrës krejt u shemb.
Po lë zemrën që më digjet,
pak nga pak e në trishtim,
mi kthe ti edhe njëherë vitet
që kanë mbetur si kujtim.
Kjo dashuri nuk ka mbaruar,
derisa zemra të më ngacmojë,
mungesa jote më ka lënduar,
asgjë s’mund ta zëvendësojë.
Kjo natë sa më lumturoi,
sikur të ishte takim i parë,
edhe njëherë të na bashkojë
dashurinë që s’ka të ndarë.
Ti je lule që nuk vyshket,
dhe ka kohë që s’jemi parë,
je flori që s’di të ndryshket,
je thesare mbi thesare.
Hapi portat e zemrës tënde,
se ti je në zemrën time,
të kam mbajtur gjithnjë në mendje,
se je e gjithë jeta ime.
Të prita sa dolën yjet
Të prita kur dolën yjet,
nata erdhi qetë e qetë,
mbi qytet e ngazëllyer,
hëna ikte përmbi det.
I sinqertë kam qenë me ty,
dashuria është si kroi:
kur fillon e bora shkrin,
porsi mjaltë mbushen hojet.
Ylberin kam vënë në mes,
sapo doli lart në qiell,
buzëqeshi hëna pranë nesh,
kur pas malit kokën nxjerr.
Nëpër muzg duart t’i mbaj,
i shtrëngoj me ngrohtësi,
jeta më zgjatet pranë saj,
kur zgjodhëm dashurinë.
Puthjet e tua i përjetova,
mbi borë çelën trëndafila,
sa shpejt dimrin e kalova,
s’m’u deshën para as vila.
S’kam kohë të largoj hallin,
e të nisem unë drejt teje,
përmbi dallgë të përcjell mallin,
si ylber pas një reje.
S’do kenë fund takimet tona,
ma plotëso dhe një dëshirë,
ca lot ranë mbi faqe të njoma,
si kristale në hapësirë.
Kur e zgjodha dashurinë
Nuk i përkulem dashurisë,
premtimet i mbajta deri sot,
se në shpirtin tim të brishtë
hyre, por nuk dole dot.
Unë tek ti gjithnjë shpresova,
të zgjodha si shoqe jete,
më shumë botën dashurova
kur tek ti gjeta të vërtetën.
Sa shumë çaste lumturie,
mbrëmjet shpesh me ty kalova,
e vetmja ëndërr dashurie,
asnjëherë nuk të harrova.
Sa kujtime më kanë mbetur,
forcë e shpirtit, më ngrohtësi,
sa herë netëve të kam gjetur
duke pritur, me lot në sy.
Sa herë në krahë të kam lëkundur
dhe rrahjet e zemrës i kam ndjerë,
oh, bota s’kish fillim as fund,
si trëndafil lëshonte erë.
Në perëndim më dukej tjetër,
për t’u larguar njëherë e mirë,
lindja u shemb, ishte botë e vjetër,
kish pak dritë, më shumë errësirë.
Por sa hyra në botë të re,
gati-gati m’u duk njëlloj,
edhe këndej dielli s’më nxeh,
mendjen time ma turbulloi.
Por ëndrrat lidhur kishin mbetur,
errësira s’hiqej asnjëherë,
në rrugët larg ku ishim tretur,
liria mungonte, s’kish pranverë.
Pranvera ka shpirt të blertë,
trëndafila, zemër zjarrtë,
sytë e saj si valë në det,
bukurinë si yll i artë.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire