![]() |
| Brixhilda Dede |
VJESHTË MAGJIKE
Kur hëna shuhet mbi gjethet e mështeknës,
vetmia bashkë me dhimbjen ulërin.
Era fëshfërin me zë të çjerrë, trokitëse
në portën e Samhainit,
natës së tmerrshme të Halloween-it.
Zgjuar nga magjia e fantazmave,
me fenerë kungujsh te dera.
Zjarre shpirtrash çelin trëndafila të egër;
natë zjarri, që për satanain bëhet ferr.
Kodrinat shtrihen në ar
dhe rrugët përtej mbeten të shtruara.
Gjethe të kuqe hedhin sy mbi një stol,
për dashuri që ikin e vijnë
si burim uji.
Nën hijen e pishës,
aroma e rrëshirës përzihet me parfum vjeshtak.
Flladi i çastit freskon mendimet;
shalli yt i ngrohtë më mbron gjoksin.
Kur gjethet e bronzta shkëputen prej degëve,
s’e di pse melankolia më bën të ndihem fajtor.
Nuk mund të të humbas, për shumë arsye.
Nuk mund të të harroj,
se je vetvetja ime.
I vetmi shkak…
shpëtimi i shpirtit.
HAPA QË NUK HARROHEN
Shëtita nëpër metropole,
aty ku kokrra e shegës bie
dhe nuk çahet
nga turma që vërshon
pa kthyer kokën pas.
Kërkova gjatë… derisa fryma më ndali,
e prapë këpucë siç i dëshiroja
nuk gjeta dot.
M’u kthyen ndërmend këpucët e kuqe të dikurshme,
me gomë ortopedike
dhe kordhelë të zezë në mes.
Në muajin e lulëkuqeve, bijë, linde ti,
dhe ato i kisha zgjedhur
me aq kujdes për ty.
I mora në dorë… sa të lehta ishin!
Syri i sodiste me butësi,
me hijeshinë që vetëm një baba di ta shohë.
Sonte, më lejo të mbaj kutinë pranë jastëkut,
ashtu siç e mbaja natën e Vitit të Ri,
kur gëzimi vinte
si një mister i ndritshëm.
Babai nuk e kishte zakon të thoshte “ju dua”,
por dashuria i shkëlqente në sy,
ajo dritë e fshehur
që fëmijët e lexojnë pa gabuar.
Tani kujtimi i tij më del përpara
si një ylber i butë mbi zemër,
që shfaqet e shuhet,
por kurrë nuk humbet.
ELIKSIRI I JETËS
Ka një spektakël hyjnor brenda shpirtit të një gruaje
që Zoti e shenjtëroi për t’u dashuruar,
kur ajo hulumton qetësisht mendimin
dhe e kthen ëndërrimin
në vizion të së ardhmes.
Ka një spektakël hyjnor në aromën e lëkurës së saj,
aty ku ndjenja dhe besimi
ujitin kujtime magjepsëse,
që vetëtijnë si yje
dhe vetëm sytë e mi i shohin,
tek pinë eliksirin e përjetësisë
në shtegun e kaltër
mbi retë e bardha.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire