![]() |
| Vera Gjonaj |
QESH EDHE KUR DHEMB
Prindërit më thanë: lahu e vishu mirë
zbukuro shpirtin para pasqyrës së jetës
Ec me kokën lart, mos u përkul nga zilia
forca jote lind aty ku të tjerët heshtin.
Mos kërko mëshirë në sytë e botës së ftohtë
se ajo ushqehet me lotët e tua
Njerëzit shpesh duan të të shohin të thyer
por ti zgjidh të jesh dritë, jo hije e tyre.
Fjalët janë të vogla për zemrën e madhe
ajo flet me rrahje, jo me zë
Zoti na dha krahë për përqafime
dhe sy që qajnë kur shpirti s’mund më.
Buzët nuk janë vetëm për fjalë
por për të treguar ngrohtësi e besim
Gjesti më i vogël mund të shpëtojë një ditë
kur zemra peshon më shumë se mendimi.
Qesh edhe kur dhemb, qesh fort
jo për hakmarrje, por për liri
Lumturia jote është përgjigjja më e bukur
jeta fiton kur ti zgjedh të jesh ti.
LUMTURIA MATET ME VLERA
S’është turp të kesh xhepa bosh
as duar të lodhura nga puna
turp është zemra pa dritë
kur nderi humbet rrugën e vet.
Njeriu mat botën me sytë e tij
këmbët zbathur ëndërrojnë këpucë
ai që ka pak kërkon pak më shumë
dhe quhet kjo etje… shpresë.
Këpucët e vjetra tregojnë rrugë të gjata
të rejat tregojnë dëshira të reja
por bukuria s’është në lëkurë
është në hapin që bën çdo ditë.
Ka nga ata që s’kanë as këmbë
por do jepnin gjithçka për një hap
dhe na mësojnë pa fjalë
sa pak duhet për të qenë mirënjohës.
Mos e mat lumturinë me mungesën
as me çfarë ka tjetri përballë
shiko ç’ke, ruaje me shpirt
se vlerat janë pasuria më e madhe.
FESTAT E ZEMRËS
Festat e fundvitit vinin pa zhurmë
pa drita që verbojnë, pa telefona në duar
por zemrat na rrihnin fort nga gëzimi
si kambana të vogla brenda kraharorit
të pastra, të sinqerta, të gjalla.
Luajtëm jashtë në të ftohtë pa u ankuar
me duar të kuqe e faqe që digjnin nga e qeshura
dëbora s’na trembte nata s’na lodhte
dhe dera e shtëpisë ishte shpëtim
ngrohtësi, zëra, përqafime.
Një dhuratë e vogël ishte mrekulli
një tryezë e thjeshtë , pasuri e madhe
bukë, buzëqeshje dhe sy që shkëlqenin
sepse festat nuk maten me sende
por me dashurinë që ndahet.
Nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin
kohë për të dëgjuar, kohë për të qenë bashkë
fjalë të thjeshta që mbetën gjatë në kujtesë
dhe heshtje që fliste më shumë se gjithçka
si një premtim i butë mes zemrave.
Dhe pa e ditur ato festa të qeta
na mësuan ç’është lumturia e vërtetë
jo ajo që blihet, as ajo që shfaqet
por ajo që lind kur zemrat bashkohen
dhe pak bëhet gjithçka.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire