RADIO VLERA

mercredi 7 janvier 2026

Mirushe H.Musa : Trungun në Bajgorë, rrënjët në Dukagjin

Mirushe H.Musa

 










Trungun në Bajgorë, rrënjët në Dukagjin


Unë dhe bilbili këndojmë të njëjtën këngë,

Me shqiponjat flas të njëjtën gjuhë.

Një gjak kam me zanat që rriten në Drin.

Trungun në Bajgorë, rrënjët në Dukagjin.


Ujëvara kristalore, myshqe të verdha,

Rrjedhin nga shkëmbinjtë, rrënjë ahu të lashta.

Këngët e malësorëve, lahuta me tela,

Këndojnë bareshën e malit pranë oxhakut të vjetër.


Bukuritë e Shalës, mahnitëse si perlë,

Vishen me petkun e bardhë prej bore.

Majat e maleve duken madhështore,

Mbuluar me borë, si nuse me xhubletë.


Kreshtat e shqiponjave lart në Theth,

Përqafohen nën sqetullat shkëmbore.

Pranverave veshin jelek me lule,

Dimrave fustan të bardhë dëbore.













Hedhur mbi supe duvak nusërie,

Çdo bukuri e rrallë – një yll perëndie.

Me stoli argjendi, me rreze hëne t’arta,

Në kreshtat e Shalës rriten veç zanat.


Në gjirin e shkëmbinjve shekullorë,

Petritë e moçëm rriten si strategë,

Dhe shqiponjat hyjnore rreth kraharori,

Flatrat si xhaketë të bardhë kallnori.


Nga kurbeti i putha syrin Shqiponjës,

Hëna flakë e kuqe, si flamur i Marigonës.

Të çmallem livadheve ku hodha shtat,

Të ulem në sofër, ku buka piqet me saç.


Manushaqeve tua sa herë t’u marr erë,

Shoh dallëndyshet që sjellin pranverë.

Uji kristalor që rrjedh nëpër burime,

Magjeps yjet që rrinë për ty në rrëfime.


Atje çdo grusht dheu është veç flori,

Cep më cep, thesaret quhen Shqipëri.


Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Skender Berisha : GJATË TË KAM KUJTUAR

Skender Berisha   GJATË TË KAM KUJTUAR Shkunde edhe pak atë borë shpirti po të ngrin gjatë po të ngrin ta dish këtu e ke folenë shtëpinë shk...