![]() |
| Remzie Raci Rexhbogaj |
ANIJA E KUJTIMEVE
Në fillim të këtij viti nisa një udhëtim të idhët
hipa në anijen e kujtimeve
për Ty dhe me Ty, Erna.
Deti ishte i heshtur
por brenda meje valëzonin vitet
Edhe një vit kaloi si shigjetë kohe
por dhimbja dhe malli për Ty
o e bukura e mamit
nuk njohin kalendar
Çdo vit rikthehen njësoj
si plagë që s’mbyllet
si emër i gdhendur në shpirt
Fjollat e borës mbuluan gjurmët e hapave të mi
por jo rrugën që bëra brenda vetes
Ty të mbaja në kraharor
ndërsa mbi tokë mbetej vetëm hiri i ecjes
Kujtimet e nëntëmbëdhjetë viteve
janë kala e pathyeshme
as koha, as harresa
nuk kanë armë t’i rrënojnë
Eh, ajo anije e ëndrrave tuaja
në muajin maj u nis me ngut
e bëri udhëtimin e pakthyeshëm
Valët s’u kthyen pas
qielli u nda më dysh
dhe pulëbardhat morën lajmin e ikjes
duke e çuar drejt dritës
Unë mbeta rojtar i kujtesës
Kujtimet do t’i palos
në çdo rrudhë të ballit tim
si harta lufte e dashurie
Do t’i ujis me lotët e mallit
derisa zëri yt
të më flasë nga thellësia e kohës
dhe anija e kujtimeve
të mos më mbytë kurrë
por të më mbajë gjallë.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire