RADIO VLERA

dimanche 25 janvier 2026

Merita Pllana Behrami : Buqetë poetike

Merita Pllana Behrami

 










JU LUTEM, MOS MA VRISNI KUJTESËN TIME


Shijoj çdo gjë me aromën pranverore, këtu në tokën time,

duke i përqafuar kujtimet e ëmbla, cep më cep.

Më largohen barrët e mallit

që me javë e me vite ma rëndojnë zemrën,

e nuri im i zbehur merr një shkëlqim të artë e të lehtë.


Thellësia e shpirtit tim ëmbëlsohet

sa herë të kaluarën time e kujtoj.

Hyj në pellgun e ëndrrave të bukura,

ehh… si më duket sikur marr krahë e fluturoj.


Kjo parajsë, ku dikur, në qiellin tim, mbaja diellin në duar,

më mbështjell sërish me krahët e dashurisë së ngrohtë.

Këtu, ku para më se tre dekadash e braktisa

për një jetë më të bukur…

por jo, ngrohtësinë dhe ëmbëlsinë e tokës mëmë

nuk e gjeta askund nëpër botë.


Ju lutem, mos ma vrisni kujtesën time,

lëreni të qetë, le të mbretërojë tek unë.

Jam një ëndërrimtare e kahmotshme që të kthehem prapë këtu,

ndaj mos ma gërvishni shpirtin,

më lini të jetoj me shpresën e kthimit.


JAM SHQIPONJË ME RRËNJË ILIRE


Me gërshërët tuaj më preve, më le pa gjymtyrë,

më shkele e më robërove me pabesi.

E sot, ty, Evropë e pabesë,

edhe me sy mbyllur t’i shoh e t’i njoh dredhitë.


Përmbi një shekull qëndroj me gjymtyrë të shkëputura,

trungun tim me flatrat e mia e flladis.

E kështu, e cunguar, edhe sot mbaj

plagët që më kullojnë gjak,

duke u përpjekur t’i bashkoj degët e mia si lis.


Fluturoj krenare, ballëlartë e pa frikë,

mbi flatrat e mia bart amanetin e të parëve.

Asnjëherë nuk do të pranoj paqe me kushte,

duke më lënë në pesë pjesë të ndara.


Ju mund të më quani Ballkan, apo si të doni,

por unë jam shqiponjë me rrënjë ilire

dhe e tillë gjithmonë do të mbetem.

Kurrë nuk do të pushoj së kërkuari

që të mi ktheni të gjitha vatrat

e Ilirisë së vjetër!


TI, PREHËRI IM I NGROHTË


Dua ta ledhatoj fytyrën tënde të butë,

këtë fytyrë që dikur shndriste si hëna.

T’i puth rrudhat e ballit,

që të janë vijëzuar si shkronja në libër,

e të përkulem para teje, moj nënë e dashur.


Dua t’i puth këta dy sy të lodhur,

që me dekada gjumë nuk u ngopën,

këto dy drita të rrugëtimit tonë,

që arrijnë të na shohin cep më cep të botës.


T’i lëmoj flokët e tua të thinjura, moj nënë e shenjtë,

aty ku u radhitën shumë dimra të gjatë.

T’i ledhatoj supet e tua të kërrusura,

aty ku peshën tonë e barti jeta.


Ta vë kokën time mbi gjoksin tënd

e t’i dëgjoj rrahjet e dobësuara të zemrës sate,

që ende rrahin për ne.

Aty ku mban dashurinë, mërzinë, dhembjen e mallin,

aty ku me vite të tëra sekretet tona i fshehe.


Ah, shtëpia ime, prehëri im i ngrohtë,

vitet të rëndojnë mbi supe,

por butësia dhe buzëqeshja në fytyrën tënde mbeten.

Dashuria, mirësia, çiltërsia dhe urtësia

nga portreti yt, o engjëlli im,

kurrë nuk u tretën.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Kumrie Avdyl Shala : BETIMI PARA ZOTIT

  Kumrie Avdyl Shala BETIMI PARA ZOTIT Një zemër që deshi me nder. Lotët më rridhnin rrëke faqeve. Mallkoja veten që nuk po mundesha të të ...