![]() |
| Lavdije Karrametaj Zalli |
LOJË FATI
N’këtë natë,
një pjesë t’zemrës
e lashë afër teje.
E tash,
me gjysmë frymën time,
luan fati.
Gjysma tjetër,
si hekur prej akulli,
arratiset mbi re.
N’këtë natë,
një pjesë të shpirtit tim
e lashë amanet.
N’pragun e derës,
aty ku lashë rritjen
dhe buzëqeshjen time.
Fati luan me mua,
luan me lotin tënd,
me shpirtin tim.
Gjuha që ma folën t’parët,
më e ëmbla gjuhë!
SONTE
Sonte,
kisha dashtë
të mbështes kokën
te gjoksi yt, nana jeme.
Sonte,
kisha dashtë
të ndiej erën e bijve të mi,
që jetën teme ma zgjasin.
Sonte,
kisha dashtë
me jetu mes ëndrrash,
mallin me e shue me zjarr.
Sonte,
si asnjëherë tjetër,
vetëm sonte kisha dashtë
të ndiej që jam e gjallë.
NËNË
Vetëm pranë teje,
ndiej që jam e gjallë.
Në sytë e tu mbytem,
dhe përsëri kam mall.
Ti qesh me mua,
edhe pse zemra të qan.
Dashuri që dhimbjet
në shpirtin tënd mban.
FRIKA, FJALA QË MA MËSOI NÂNA JEME
T’gjithë kena frikë,
siç i kena nânat tona.
Nën lëkurën tonë
gjaku ngrin e shkrin.
I frikësohna dhimbjes e humbjes,
n’dritë e n’errësinë.
Kena frikë kryet me e sjell mbrapa,
frikë se do t’na qorrohen
edhe sytë e ballit.
Të ndryshme kanë qenë dhimbjet,
jena rrëzu,
në kambë prapë jena çu.
Jemi vra aq shumë,
saqë dhimbjet tona
kanë me piku gjak për tanë jetën,
e ky gjak ka me u ngri
mbi ato plagë.
Nuk kam frikë nga frika,
kam frikë
nga humbja e frikës.
AS VETË NUK E DI
Nuk më frikësuan vrasjet
që pashë me sytë e mi,
nuk më frikësuan as bëmat
e vitit të errët 1997,
kur mbi kokat tona binin plumba
dhe rrjedha e Drinit
përskuqej me gjak e lot.
As dallgët e detit
nuk më frikësuan,
kur përplaseshin anijes
deri në katin e gjashtë.
Jo, nuk kam frikë
as sot, as mot, të jetoj;
janë trillet e jetës
që duhet t’i përballojmë.
Mund të thoni se po gënjej,
se jam e çmendur,
apo se jam trimëreshë.
As vetë nuk e di
çfarë mund të thoni për mua,
sepse jam vetëm një pikë
në këtë univers.
Kur jam vetëm,
shpirti nuk pyet për forcë —
ai qan.
Nata i mbledh të gjitha
dhe m’i përplas në ëndrra,
ndërsa jastëku, i mbushur me to,
e pret mëngjesin
i njomur në lot.
Jeta po ngjan
me një pikë uji:
a thua zhduket
pa lënë shenjë
e gjurmë?…

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire