![]() |
| Laureta Malaj |
Në zjarr të pritjes
Erë e ngrohtë nga thellësitë,
që më erdhe si një mall,
si një zjarr që digjte brenda
e s’dinte të nxirrte fjalë.
Edhe pse bora kish mbuluar,
në çdo anë bënte ftohtë,
ti më vije pa u kursyer
dhe në shpirt më mbaje ngrohtë.
Një frymëmarrje më dhuroje,
pasion – një çmenduri;
më bëre rob të dashurisë,
këtë dhuratë ma fale: ti.
Të prita në çdo stacion
me një zemër që s’u ndal,
se ka dashuri në jetë
që, edhe ikur, mbetet gjallë
Me lapsin e mallit
Ndeza dritën natën vonë,
shihja vargun të harruar;
fleta bosh më thërriste,
shpirti ende s’kish pushuar.
Marr një laps e nis të shkruaj,
më zgjon pranë një mall i vjetër;
shkruaj, shkruaj pa u lodhur,
ndjehej malli — kishte mbetur.
Shkronjat tona aq të arta,
gur i çmuar në çdo varg;
nuk munda dot t’ju harroj,
sepse jeni thellë në gjak.
Shkronjat tona aq të ngrohta
nuk i gjen në asnjë vend;
ato burojnë nga zemra
ku shqiptohet fjala “nënë”.
Prandaj sot ne po festojmë
gjuhën e nënës që s’vdes kurrë;
të gjithë bashkë ta urojmë:
“Rrofsh në mote, me flamur!”
Një botë e vogël
Sa e vogël duket bota…
diku një ditë do të ndeshemi.
Ndoshta s’të njoh, as më njeh,
dhe për një fjalë mund të përleshemi.
Kjo botë e vogël na bën të mëdhenj,
dhe harrojmë kush na ushqeu;
harrojmë njeriun tonë një ditë,
e kuptojmë vetëm kur është vonë.
Flasim hapur: “ne dashurojmë!”
Po a është vallë kjo dashuri?
E ndiejmë, e themi, apo e jetojmë,
apo me zemra bosh e përçmojmë?
Rrahim gjoksin, themi: “ne jemi!”
Të dashur, të respektuar kudo shkojmë.
Po a e ndiejmë atë që themi?
I madh, i vogël — sa shpejt gënjehemi!
Lamtumirë vitet e mia
Lamtumirë vitet e mia,
që po ikni dalëngadalë;
çdo vit në ditëlindjen time
zbres një hap, një tjetër shkallë.
Lamtumirë vitet e mia,
që s’munda t’ju mbaja dot;
sot më sillni veç nostalgji
dhe nga sytë më rrëshqasin lot.
Lamtumirë vitet e mia,
që ishit gjithnjë pranë meje;
çdo të mirë e çdo të keqe
së bashku i ndamë në jetë.
Lamtumirë vitet e mia —
zemra s’ma thotë ta them.
Jeta është aq e shkurtër,
e nesërmja shpesh na gënjen.
Pa emër, pa dritë
Eh, sa errët e shoh dritën,
si mjegull mbi sy rëndon,
hap pas hapi shpresa zbehet
si një diell që perëndon.
Eh… dita s’është më ditë,
është një hije që më ndjek,
një dritë që shpejt po fiket
dhe një zemër që s’e ndjej.
Hapat bien në boshllëk,
rrugët s’kanë më drejtim,
çdo shpresë është iluzion
që ia ngrin shpirtin tim.
Forca s’më rrjedh më në trup,
si gjak që s’kërkon plagë,
një frymë del pa zë,
si lutje që s’gjen prag.
I vetmuar endem rrugëve,
kërkoj arsye të marr frymë,
një pasqyrë që s'ka më ngjyra
më shumë dritënna e fshinë.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire