RADIO VLERA

jeudi 29 janvier 2026

Elmije Ajazi : Buqetë poetike


Elmije Ajazi



















NË NJË DEGË

Jemi ne të dy
në një degë të hollë,
dhe bota poshtë nesh
është shumë larg për të na kërkuar shpjegime.

Nuk flasim.
Dashuria e di gjuhën e heshtjes.

Bora bie
dhe nuk na ndan.
Na mbulon si një sekret
që vetëm ne dimë ta ruajmë.

Dega lëkundet,
por nuk çahet.
As ne.

Nëse dikush pyet
si i mbijetuat dimrit,
le të mos e kuptojë kurrë
se ne nuk mbijetuam.
Ne u dashuruam.

Regensburg, 22 dhjetor 2026


MOS U BËNI URË

Mos u bëni urë
për ata që nuk duan të kalojnë.
Jo sepse nuk munden,
por sepse nuk shohin përtej vendit ku janë.

Jo çdo urë çon drejt takimit.
Disa ekzistojnë vetëm
për t’u shkelur,
pa u kuptuar kurrë pse u ndërtuan.

Mos e ofroni veten
si kalim për njerëz
që nuk e kanë ndërmend
të arrijnë bregun tjetër.

Sepse të ndalesh
nuk është mungesë force,
por qartësi.

Urat ndërtohen për lëvizje,
jo për qëndrime të përhershme.
Nëse askush nuk bën hapin,
ura s’ka pse të qëndrojë.

Kush dëshiron vërtet të kalojë,
do të përpiqet.
Kush nuk e bën,
nuk kërkon bregun tjetër —
kërkon vetëm një mbështetje të përkohshme.

Prandaj,
mos u bëni urë për ata
që nuk ju shohin si destinacion,
por si mjet.

Sepse takimi ndodh
në fund të urës,
jo mbi të.


FILLIMI I NJË ËNDRRE

Një libër i hapur si agimi i parë,
faqe të bardha që presin të flasin.
Një laps i vogël dridhet në dorë,
si zemra e një fëmije që mëson të besojë.

Një dorë e vogël prek letrën
dhe heshtja flet;
çdo vijë e thjeshtë bëhet histori,
çdo shkronjë hap rrugën
drejt një bote të re.

Nuk është vetëm shkronja e parë;
është guximi që lind ëndrrën,
është drita që nis nga një dorë e vogël,
dhe një e ardhme e madhe
fillon këtu.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Kumrie Avdyl Shala : BETIMI PARA ZOTIT

  Kumrie Avdyl Shala BETIMI PARA ZOTIT Një zemër që deshi me nder. Lotët më rridhnin rrëke faqeve. Mallkoja veten që nuk po mundesha të të ...