![]() |
| Adifete Shiti |
Nën Dritën e Hënës
Flas me hënën,
më bëjnë shoqëri yjet.
Ëndrrat më thërrasin me nxitim
të vështroj horizontin.
Atje ku koha ndalet për një çast,
e mendimet s’kërkojnë përgjigje,
shpirti endet i zhveshur nga zhurma
dhe mëson peshën e vetmisë.
Heshtja më flet më sinqerisht
se mijëra zëra njerëzish,
e nata, si një mësuese e vjetër,
më mëson të dëgjoj veten.
Aty ku koha s’ka emër
dhe frika humb formë,
njeriu mbetet vetëm me veten,
si pyetje pa zë.
Vetmia peshon më shumë se fjala,
e nata zbërthen shpirtin ngadalë,
duke më mësuar se drita
nuk lind pa u përballur me errësirën.
Dhe kur agimi hap sytë e tij,
e kuptoj:
udhëtimi nuk është largësia,
por guximi për të qenë i vërtetë me veten.
Pendë mbi Tela
Violinë me tel të këputur,
tingull i butë, i përshpirtur,
më thuaj ku ndihesh më lehtë:
në gëzim
apo në hidhërim?
Në hidhërime apo në mall,
ku kujtimet bëhen fjalë,
stolis ndjesi në heshtim,
pak për vete,
pak për miq.
Violinë, moj violinë,
si buqetë mbi shpirtin tim,
le të bien kumbime ngadalë:
pak për hallë,
pak për të gjallë.
Si Beethoven ti më zgjon,
një tingull zemrën ma shpon,
në agim të biesh lehtë,
e unë me pendë
të qëndis përjetë.
E kur teli i fundit këputet,
zemra dridhet, koha ndalet,
violina mbetet dëshmi:
se dhimbja,
kur tingëllon, bëhet art.
Bora e Janarit
Bora e janarit zbret si kujtesë e bardhë në ag,
më zgjon kujtime të heshtura
dhe ma lan buzëqeshjen me dritë.
Në ftohtësinë e saj gjej ngrohtësinë e hareve
që koha s’i ka shuar.
Fjollat prekin flokët e mi
si fjalë të pathëna nga qielli,
më mësojnë se paqja
nuk vjen gjithmonë me zë,
por me qetësinë që mbulon plagët e botës.
Penda ime endet mes vargjeve të janarit,
lulëzon aty ku heshtja flet,
dhe bora i jep ritëm frymëmarrjes së poezisë.
Mali i veshur me të bardhë
nuk është vetëm bukuri:
është një lutje e lashtë,
një mesazh i pastër
që zgjon ndjenjën më të bukur.
E njeriu, i humbur mes bardhësisë,
mëson se dashuria është durim.
Ajo nuk nxiton,
por shtrihet si dëborë mbi tokë të lodhur,
duke e bërë edhe ftohtësinë të butë.
Në atë qetësi, zemrat flasin pa fjalë,
koha ndalet për një çast të pastër,
dhe shpirti e kupton
se të duash nuk është të marrësh,
por të mbash ngrohtë
atë që dridhet në heshtje.
Sepse dashuria, si bora e janarit,
nuk kërkon të kuptohet,
vetëm të ndihet.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire