RADIO VLERA

mardi 7 juillet 2026

Ermira Ifandi : Buqete poetike

 

Ermira Ifandi 











PO VIJ


Po e marr udhën e vjetër,

ku toka njeh çdo anë

timen.


Po vij

si një kalorës i vonuar

duke shaluar pavetëdijes

fitoret dhe humbjet e kujtesës.


Nën qiej të tjerë,

me gjuhë të tjera

me stinë

që i njohu veç lëkura ime

e plasaritur në shekuj.


Po vij

tek mani i tharë,

që ende mban hijen time

në mes të avllisë.


Po nisem

drejt portës,

që hapet nga sytë e zvogëluar

të nënës

dhe mbyllet

nga loti i fshehur

mes rrudhave

të babait.


Çdo kilometër,

që lë pas

më afron

te hapat e ngadaltë,

të tyre

kur trokasin oborrin në muzg,

sikur të ishte lajmi i ardhjes sime.


Po vij

aty,

ku nisi udhëtimi im

edhe pse nuk jam e sigurt

nëse ka mbetur ende

diçka nga unë.


Aty,

ku koha

përkulet nga pritja

dhe gurët

nuk m'i kanë harruar hapat

e vegjëlisë.


Athinë, më 25.06.2026


PO IKI 


Dera mbeti hapur,

si sytë e kujtesës

mbi ballkon,

ku mbaron shkalla e fundit

dhe lulja e shqiponjës

pret dhe përcjell.


Po iki,

qëndrimi im nuk matet me ditë.

Është shpirti

që nuk mësoi të largohet.


Mbetem aty,

heshtje

në hijen e manit.


Po iki

me qiellin e hapur

sipër meje.


Retë

kishin formuar

një tjetër jetë,

një mbretëri.


Njëra

më buzëqeshte.

Zemra e njohu

përpara se të ulej

si qengji manar

në lëndinën e bardhë.


Ajo iku,

ndoshta për të mësuar

gjuhën e qiellit.

Unë,

për të mos harruar

gjuhën e nënës.


Fratar, më 03.07.2026


MËNYRA TË NDRYSHME


Puset e urrejtjes

se prekin themelin 

e dashurisë.


Në puse

uji mban 

erën e baltës.


Themeli i dashurisë

ndërtohet

gurë mbi gurë,

si një urë lidhëse

për qytetin.


Njëra gërmon

poshtë,

tjetra të çon lartë.


Apo ndoshta,

s'ka puse të urrejtjes.


As themele dashurie.


Ka vetëm mënyra të ndryshme,

si shpirti

vizaton kufijtë e vet.


Athinë, më 05.07.2026


E NESËRMJA 


Nuk i kërkoj asgjë,

të nesërmes.


Le të vijë

edhe me duart bosh.


Mjafton,

të mos më gjejë atje,

ku më la sot.


Mes hirit të pritjes

dhe zjarreve

që nuk u bënë dot prani.


Fratar, më 30.06.2026

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Doli nga shtypi libri poetik “DORUNTINE MUZGU “ i poetes Mirueshe MUSA

   “ DORUNTINË MUZGU “   – POEZIA MES KUJTESËS, MALLIT DHE  MUZGUT TË SHPIRTIT Fjala e redaktorit : Agim GASHI Libri poetik “Doruntinë Muzg...