![]() |
| Agim GASHI |
GJITHË JETËM MË SHËRBIM TE QESHTJËS KOMBËTARE
ALI SYLEJMANI
Shpeshherë më ka shkuar mendja se disa njerëz janë të veçantë në jetën e tyre. Më duket sikur në këtë botë kanë ardhur me një mision të caktuar dhe, me ngulm, përpiqen ta përmbushin atë mision pa përfillur pengesat dhe sakrificat. I tillë është edhe personazhi që po ua prezantojmë në revistën “Fjala artistike” – Ali Sylejmani, i cili jetën e tij e ka vënë në shërbim të kauzës kombëtare.
Shkruan: Agim Gashi -Drenica
Ali Sylejmani u lind më 15.04.1959 në Gërmovë, Komuna e Vitisë. Shkollën fillore e mbaroi në Goshicë të Vitisë, ndërsa gjimnazin “Boro e Ramizi” në Viti, ku ishte nxënës shembullor. Studimet i filloi në vitin 1980, në një nga periudhat më të vështira për Kosovën, kur shtypja dhe represioni i pushtuesit serbomadh kishin arritur kulmin kundër kombit tonë.
Ali Sylejmani
Studimet i përfundoi në vitin 1984 në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, me notë mesatare 9.5, çka e renditi ndër bursistët universitarë të asaj kohe, si: Bardh Hamzaj, Sali Bashota, Muharrem Nitaj, Hetë Lulaj, Hava Shala, Agim Spahiu etj.
Aliu ishte ndër studentët e parë që në Mensën e Studentëve filluan demonstratat e Marsit 1981. Pas diplomimit, në vitin 1984, filloi punën si arsimtar në Gjimnazin e Vitisë. Një vit më pas, pushteti e detyroi të punonte vetëm me gjysmë norme, prandaj u detyrua të gjente një vend të dytë pune në shkollën fillore “Aca Maroviç” në Fushë Kosovë, ku punoi deri në kalimin e tij në Fakultet.
Në atë kohë, nacionalizmi i tërbuar serb sa vinte e shtohej, me epiqendër në Fushë Kosovë. Edhe aty, ai ishte pjesë e një bërthame të fortë intelektualësh që u bënin ballë presioneve të pushtetit serb, së bashku me: Zahir Kamberi, Isa Thaçi, Ahmet Lugolli, Njazi Jashari, Anton e Drita Demaj, Haki Bajrami, i ndjeri Ismet Gashi, Njazi Jashari e të tjerë.
Në vitin 1989 filloi punën në Fakultet. Si gjatë studimeve, ashtu edhe si pedagog, dallohej për sjelljen e tij dhe aftësinë për të bashkuar njerëzit rreth çështjes kombëtare. Ishte i afërt me profesorë dhe kolegë të njohur si: Dr. Zeqir Sadiku, Dr. Sadik Rashiti, Dr. Murat Bejta, Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Bajram Elshani dhe Dr. Ali Dida. Po ashtu kishte kontakte të mira me Mr. Halil Alidemën dhe Dr. Fehmi Aganin.
U regjistrua në studimet pasuniversitare (shkalla e tretë) në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe me sukses përfundoi ligjëratat, duke dhënë tre nga pesë provimet e parapara, por u detyrua t’i ndërpriste studimet për shkak të rrethanave politike. Me vendosjen e masave të dhunshme në Universitet dhe emërimin e dekanit të dhunshëm Dr. Borisav Vukoviç, me të cilin ishte përballur disa herë, Aliu u largua nga puna si akt hakmarrjeje.
Megjithatë, kjo e motivoi edhe më shumë për të vazhduar aktivitetin në sistemin paralel arsimor, duke ligjëruar nëpër shtëpi private. Gjatë një ligjërate u arrestua dhe u mbajt disa ditë në burg. Më pas u lirua me kusht që të paraqitej çdo ditë në organet e sigurimit. Duke mos e duruar këtë gjendje, u detyrua të largohej nga atdheu.
Në vitin 1993 emigroi në Gjermani (Landin Sachsen-Anhalt). Brenda pak muajsh filloi aktivitetin për bashkimin e shqiptarëve. Fillimisht organizoi tubime këshilluese, me moton: “Ne jemi pak, dhe nëse ndahemi në baza partiake, do të jemi edhe më pak.” Në Magdeburg themeloi Komunitetin Shqiptar.
Ishte themelues i nëndegës së LDK-së në Gërmovë, e cila u vlerësua nga Dr. Ibrahim Rugova. Aktiviteti i tij në Gjermani lidhej drejtpërdrejt me Qeverinë në ekzil, përkatësisht me Dr. Mujë Rugovën.
Mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët në Magdeburg për çështjen e azilkërkuesve dhe diskutoi në gjuhën ruse, pasi ende nuk e zotëronte mirë gjermanishten. Më vonë përvetësoi me sukses gjuhën gjermane dhe përfundoi kursin me nota të shkëlqyera.
U zgjodh anëtar i kryesisë së shoqatës humanitare “Nachbarschaftliches Curacao e.V.”, e cila merrej me përkujdesjen e azilkërkuesve pa dallim kombi apo feje. Kryetari i saj u dekorua me “Bundesverdienstkreuz” për punë humanitare.
Më 10.10.1996 dha betimin si përkthyes zyrtar gjyqësor për gjuhët: shqip, serbisht, kroatisht, rusisht dhe gjermanisht. U punësua si punëtor social dhe u bë anëtar i disa organizatave humanitare, si “Kontakt International” dhe “Ein Welthaus”. U zgjodh edhe në Këshillin e Refugjatëve të Sachsen-Anhaltit dhe e përfaqësoi atë në nivel federal, përfshirë “Pro Asyl”.
Organizoi takime të rëndësishme mes autoriteteve gjermane dhe përfaqësuesve të Kosovës. Një ndër kulmet ishte organizimi i një demonstrate paqësore në Magdeburg, e cila u përcoll nga mediat vendore dhe BBC.
Në dhjetor 1996 kandidoi dhe u zgjodh deputet në Këshillin Komunal për të Huaj me një numër të lartë votash.
Themeloi Shoqatën Humanitare Shqiptaro-Gjermane, e cila brenda një muaji grumbulloi 1.300.000 marka gjermane ndihma për Kosovën, prej tyre 950.000 marka medikamente. Organizoi transporte humanitare dhe ishte edhe vetë drejtues i kamionëve.
U emërua këshilltar personal për çështjen e shqiptarëve të Kosovës pranë Qeverisë së Landit Sachsen-Anhalt. Organizoi sistemimin e refugjatëve nga Kampi i Stankovecit dhe ndihmoi në integrimin e tyre, duke organizuar edhe mësim plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët.
Pas luftës, organizoi transportin e parë humanitar drejt Komunës së Vitisë. Nga 20.11.1999 deri më 19.11.2002 punoi si udhëheqës projekti për kthimin vullnetar të shqiptarëve të Kosovës.
Për aktivitetin e tij kanë raportuar gazeta të ndryshme gjermane dhe televizione si TV5 dhe disa kanale të njohura gjermane.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire