RADIO VLERA

dimanche 19 avril 2026

Valbona Ahmeti : Buqetë poetike

Valbona Ahmeti

 










RRËNJËT E PLAGËS


Për të shëruar

zbrit me kujdes, 

deri tek rrënjët e plagës

Fjalëmbla le të pushojë

dhimbjen   

Ledhatoje butësisht me sy  

trupin e lënduar

Lotin e qerpikut ktheje në bulë vese

mbi gjethen e zbehur

Deri të buzëqeshni të dy!



UDHËT E JETËS 


Udhët e jetës duam t’i kemi

plot ndriçim

Miqësinë e qëndisim 

me ngjyra ylberi  

Dashurinë e thurim 

me fije dielli 


Gjatë udhëtimit

ndodh të thumbohemi

nga ata që i zgjodhëm   

Vret ndjenja e zhgënjimit

Mësojmë, gërmojmë...

Prapë një shteg e gjejmë!


MONOLOG NË THURJE


Gërsheti i saj mbi krahror i shprishej

Lart në bjeshkë frynte erë

Gjoks i tij hapej si engjëll mbrojtës

Dimri i acartë kthehej në verë


Sytë e natës zunë t’bëjnë gjumë

Shtat i hollë strukej në t’ngrohtin gji

Yjet rebelë nuk ndienin shumë

Yjëzonin vetëm dy palë sy


Dhe kur ëndrrat udhëtonin qiejve 

Buzët ndienin afsh të prushtë

Kambanë e natës vriste heshtjen 

Çaste që jetonin qindra botë


Netët e vona çfarë kuptuan

Simfoni dashurie që jeton tutje 

Gjithë çka panë, nuk e thanë

Mbeti monolog në thurje!


NATA DE TERRA

(E lindur nga Toka)


Trupin e lodhur e tërhoqa zvarrë

Shtigjeve të panjohura, shtete e dete

Rrënjët më mbetën atje me shpirtin e vrarë

Aromën e Tokës Amë e solla me vete


Flas me Alpet e Shqipes hijerënda

Gjuha e lashtë ma këndon himnin

Rrjedha e lumenjve kristalorë

Qysh moti ma ka rrëmbyer shikimin 


Vazhdo të jesh gjithmonë unike 

E dëgjoj një zë që heshtas më flet

Jeta dhe vdekja janë dy mike

E lindur nga Toka, kthehu, se ajo të pret!



PRIJATARËT E LAVDISË  


Të mbushim duar e krahë me lule borë

Aromë e tyre të shpërthejë si dielli  mëngjesor

Të blerojnë ujëvarë meloditë e bukura të historisë

Të derdhen si dallgë detesh urimet e lavdisë


Me fije dielli të pikturohet në memoriet rinore

Legjendë kreshnikësh me rrënjë stërgjyshore

Të ngriten lartë flamujt, deri sa qielli të çahet

Histori e Marsit rreth oxhakut le të rrëfehet


Zogjtë shtegtarë kur të pushojnë mbi kullë

Borë e Çyçavicës le të shkrijë si gurrë

Në gji të lëndinës ëndrra shekullore është bekim

për çdo plumb pushke le të dëgjohet një rrëfim

 

Sqep më sqep amanetet e Bacës të ligjërohen

Me fjalë pranverash kurorat të zbukurohen

Melodia e lahutës le të jehojë në brezni

Të jetojnë trimat rinueshëm në përjetësi


Të lutem qiell mos na sjell pikëlotin dhembshëm

Shqyeji retë, zbrite ylberin gazmueshëm

Me pendë bilbilash le të shkruhet Marsi i Lavdisë

Ciceronët le të flasin për Prijatarët e Lirisë!

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Skender Berisha : GJATË TË KAM KUJTUAR

Skender Berisha   GJATË TË KAM KUJTUAR Shkunde edhe pak atë borë shpirti po të ngrin gjatë po të ngrin ta dish këtu e ke folenë shtëpinë shk...