![]() |
| Ismet Tahiraj |
ORE, T’U NGJATË JETA
Më dhjetëra herë
i rashë rreth e rrotull
oborrit të qytetit tim,
qytetit të minatorëve.
E kurrkush s’më tha:
Ore, t’u ngjatë jeta.
Flisnin e fjalë barisnin
se ajo prostitutë
po i ajros këmbët
në ulësen e sheshit.
Si bajame i ndrisnin faqet.
Flisnin e bërtisnin:
sa e sa tarakë
i ka tredhur.
Kurrë s’dëgjova
të thoshin se u përtëri sporti,
madje as shkollat e reja
s’ua mbushën syrin,
askund nuk ngjetën.
Se shpirtin a zemrën
e kishin veç te prostituta,
veç te paraja.
E nuk jepnin llogari
as sot, as nesër, kurrë,
kurdoqoftë
do t’u duhej përshëndetja.
Po sofër të mbrapshtë
shtruar kishin!
Zhvateshin kode e kode
për secilin, për akëcilin.
Ka të veshura linjta,
s’ka të veshura linjta.
Merreshin me kusht
mes vete — me vetveten.
E oborri i qytetit
bëhej treg pelash…
GRUAJA E LËSHUAR
Grua e lëshuar,
mos lë prapa
të ngjitshme me pështymë.
Shtratin s’e ke
kurrë bosh.
Më mirë është
të rrish me një mace
se sa vetëm —
terri verbon.
Gruaja e lëshuar
i kreh flokët,
i ngjyros buzët
rozë.
Tavolinë e ka
çanakun e drurit,
ku hidhen qindarkat.
Më mirë vetë për vetëm:
një jetë e ke,
kujdesesh për vetveten.
E plehrat e kunetërve
mos i hidh në koshat e tu.
Veç prapa me pështymë
mos t’i ngjyesh, mos t’u ngjiten,
se maçorri kur turret
nuk njeh gardhin…
NË QYTETIN E MINATORIT
Në qytetin e minatorit
një minator
i numëron qindarkat.
Vesvese se mos janë
nga zinku a legura,
e assesi nga dukati.
Sa poshtë ka rënë
jeta e konakëve:
mes shirave të lagur,
e ata që janë të paktë —
të palagur.
Se thoshin e thoshin:
“Jo more, jo,
ishte poshtërsi
të themi se do të hamë
me lugë të arta.
Të arta me ar
do t’i kemi rrugët!”
Plasë, more,
se ishte poshtërsi
edhe në ëndrra
të mendosh gjëra besëtyte,
kur me bollëk
resh myku.
Vesvese e kishte
se mos ishin para
nga zinku a alumini,
që si tepsi haje dikur;
lyshtra e tyre
na e nxinte frymën.
KANË HYRË TË GJITHA SHTIGJET
Kanë hyrë
të gjitha shtigjet
për të marrë udhë
kah mizëria.
Zorrët në bark
iu lidhën nyje, bre.
Tash flitet për
jashtëqitje kali,
si në muranat e harruara
ringjallen epshet
e shërimi me plot ngrohtësi.
Merr lëvore frashri
për ta përmirësuar lëkurën,
rrepka e egër
e forcon ashtin
(përzier me tri qime dhelpre).
As kush mos të shohë,
as mos të dëgjojë,
kur e vrasim urithin
në mëhallën tjetër.
Zogu i natës
pse qëmton,
kur zorrët në bark
janë rrotulluar mbrapsht…
FJALËT
Fjalët i kapi diku,
krejt për fund bishti,
i vërtiti për qiell.
S’diti, s’diti fare
se ato u shpërndanë
si petale të verdha luledielli
mbi ballin e mërdhirë…

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire