![]() |
| Ragip RAMAJ |
DRITARJA E MËRGIMTARIT
anija e fundosur
n´detin e harrimit
ruan një çelës të ndryshkur
një dritare e braktisur
prej mëngjesit deri në muzg
hijes së dhomës i jep dritë
edhe diell i jep hijes së dhomës
terri i vetmisë të mos i brejë muret
ditën që ai u nis e mbylli me dorën e vet
tri herë e rrotulloi çelësin e fjalës
dhe diçka përshpëriti nëpër dhëmbë
vetëm një yll e dëgjoi
dhe fjalën e dhënë
e mbylli në guacën e hënës
që po dilte mbi zabel
ajo pret, nuk bjen, qëndron
derisa muret të bëhen dhe
ta mbulojë trupin e tij
e fjalën e dhënë
gur varri t´ia vnojë* te koka
____________________
*Vnoj - vendos
MËRGIMTARIT
Ty të shoh gjithmonë si qiell vjeshte
n´sytë e tu e shoh lumin duke gurgullu`
n´ballin tand e shoh një zjarr kreshte
këto udhë t´botës i mas vetëm me hapat e tu.
A je ti një prush apo vetëm një urn zjarri
a je gjumë i tretur nga netët e mia,
a je shi i derdhur me shtamba malli
a je copë trishtimi shkëput nga dashnia?
E di çka shkrep´tinë n´qiellin e shpirtit tand
e di që meridianeve ti u jep zjarrmi,
kjo botë kaq e madhe për secilin ka vend
e për ty ka rezervu´ sall shekuj vetmi!
DIELLI UA QET GJUHËN DO POETËVE
Do poetë kur shkruajnë poezi për diellin
dielli qesh me ta dhe ua qet gjuhën
lot gazi rrjedhin syve të tij.
Yjet ia fshijnë lotët me shaminë e hënës.
E kur ndodh madje t´i torturojnë metaforat
diellit i rritet tensioni i gjakut
mjeku i qiellit i shkruan shurup
një lugë kur lind në mëngjes
një lugë kur perëndon në mbrëmje.
Qielli i këshillon poetët
poezia nuk është dëshirë
dhunti është poezia
është lumë që rrjedh
përroskave të shpirtit
e jo sokaqeve të dëshirës.
Edhe lumi fundoset në klithma
i thyhen xhamat e gurgullimës
kur shkruajnë do poetë për diellin.
Kur do poetë shkruajnë për diellin
lulet struken në gjirin e pranverës
nektari t´mos u bëhet pelin
t´mos u thyhen krahët e petaleve
e t´mos helmohet mjalti i bletëve.
Kur do poetë shkruajnë poezi për diellin
qan e qan edhe qielli
i dhemb koka
furtunë e fërfëllazë mbulohet gjithë toka.

Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire