RADIO VLERA

jeudi 28 mai 2026

Dalinë Arifi : Buqetë poetike

Dalinë Arifi












Fustani i nanës


Ma dha fustanin nana me e veshë.

Ish i randë, shumë i randë!

Nga pesha e vuajtjeve të saj,

s’mujta me e bart ma.

Fort m’iu dhimbt zemra,

e nisa me u thinj para kohe.


Eh, nana paska kalu kohët ma të vështira!

Paska sakrifiku për me na rritë,

e na prapë s’ia dimë hekat asaj.

Fort m’i rëndoi supet fustani i nanës,

e hala peshën po ia ndjej…

edhe pse s’e kam veshë ma.


Nana e mbante këtë fustan vesh’,

e prapë ka mujt me buzëqesh…


Zhig e kam


Zhig m’i kanë sytë e tu,

të ëmbël e të thellë me m’shikju.

Zhig e kam veç një herë me të thirr në emën,

me bërtit prej dashnisë së madhe,

veç një herë me të pa si kthehesh i habitun,

me ata sy bojë qielli, që ndonjëherë marrin jeshilen,

jeshilen teme të preferume.


Zhig m’ka met me t’i puth buzët,

me shku n’qiellin e shtatë e prap me u kthy,

me ec n’tokën që çdo ditë e shkel.


Zhig e kam edhe një herë me t’kqyr tinëz,

si me m’fsheh prej synit pa m’vërejt ti,

herë ti me m’i lshu sytë tinëzisht,

herë unë me t’shikju ashiqare.


Zhig e kam me ta ni aromën tane,

e me u ngi me ty, edhe pse tan jetën jam e uritun.

Zhig e kam me u preh qetësisht n’puthjet e tua,

zhig ka me met tan jetën ai zani yt që m’jep jetë.


Sytë qelë kanë me met kur të vdes,

nëse nuk t’kallxoj për dashninë teme.


Unë, bija jote Kosovë


T’i dua malet, kodrat,

liqenet, përrenjtë- të dua, Kosovë.

Unë, bija jote, të ndiej deri në ashtin e zemrës.


Tokat e tua të bekueeme, lisat e gjatë që japin hijeshi,

ma ushqejn shpirtin me peshën e dashnisë së madhe për ty.


Unë, bija jote Kosovë, s’u lodha duke të dashur,

edhe atëherë kur varfëria për tokë më ka përplasur.


Unë prapë nuk të braktis, o e bekuara e Zotit.

Ti je atdheu ku kam lindur e jam rritur,

ti je atdheu ku do të vdes,

e trupi do të më pushojë në dheun tënd, qetë e qetë.


Të dua, Kosovë,

t’i dua malet, t’i dua kodrat, liqenet.

Kosovë, ti je ëndrra e vajzës, e asaj vajze të vogël.


Fushave të tua kam vrapu me ëndrra plot.

Kosovë, të dua edhe kur në sofër s’kam pasë çka me shtru.

e ambël mbetet shpresa për të ardhmen.


Kosovë, hija e nurit tim,

jehona e bukur e fjalës shqipe

 

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Rinore Zymeri - Buqetë poetike

Rinore Zymeri Jeta në thjeshtësi Nuk dua pallate që prekin retë, as pasuri që zemrën e lënë shkretë, më mjafton një buzëqeshje në mëngjes, d...