vendredi 28 mars 2014

Kasam ShAQIRVELA - CIKLI POETIK

FJALA E LIRË
Kasam SHAQIRVELA




Kasam SHAQIRVELA

P O Ll O G U

Fushë e gjerë
Fushë e gjatë
Log burrash
Për tu matë
***
Vetë e bërë
Nga Pellagu, hyjnia
E pagëzuar, nga perëndia
Qysh se ishte atëherë
Me ujë mbuluar Pellagia
Pellg ishte më parë
dhe pellg tani mbeti
nuk e nënshtroi kurrë
përgjatë historisë,
as krajli i Skllavonisë
as perandori i ashpër romak
as i bizantit me nam mbreti
e as sulltani otoman i Turqisë
***
Por, edhe në kohë më të re
s’bëri krushqi as me të pafe
nuk iu dërëzua as komunizmit
as kur reformën agrare e nxorën
as dhe kur tokën pjellore ia morën
kolonistë të vjetër e të rinj,
që popullonin Pellagun e tij.
për kaçore të bukës së tij,
ju dashtë pollogasit tani
të bredhë metropoleve
***
në punë më të rënda gjithnji
sharrën e drujve vjerun në krah,
llopatën e qymirit hudhur përmbi
pikërisht t’i shërbente shkjaut të zi,
të duronte ofendime, madje dhe të shara
si ndimonte ankesa as dhe e qara, se
prapë duhej rrokur llopata dhe sharra
e prapë kalvari i mundimeve vazhdonte
e nesërmja sërish e njëjtë fillonte, vallë
këtë jetë sizifi kush mund ta duronte ?
***
veçse Ashtit Pellag që n’heshtje punonte
flente e zgjohej me të njëjtën ëndërr
e dashti dhe e bëri atë zhgjëndërr
e sot më, nuk sharron drunjë për të huaj
por ngre universitete në Pollog
ardhmëria e tij më mos t’i vuaj
të bëhet e zoja për vete, të gatuaj,
madje për kauzë pandërpre të bluaj.
Të mbetet në vendin e tij shekullor
Të mos bredh botës ndër vend të huaj
Por ta mbajë këtu trurin arbëror
E t’i pjellë gjithmonë se e ka femëror.
Kalaja e Hisarit, buzë Artatit
Në luginën e Penastisë


Q Ë N D R E S A
( për mbijetesë)

N’këtë muaj Gushti,n’ditë t’ nxehta
N’qiell të hapur,n’mëshirë t’zotit
Po i rrezikon vdekja e po i thirë jeta
Fëmijë,gra,pleq e t’plagosur n’flakë t’barutit
Mbushur male dhe bjeshkë t’Kosovës
Me të ikur nga shtëpitë e veta
Që ua shkatërron lufta e egër barbare
Që e mbush Kosovën këto ditë me varre
Luftë e pa shpallur nga pushtuesi serbianë
Pushtues, shkatrues, plaçkitës e masakrues
sllavjanë
Që s’po ngihet dot me gjak shqiptari ?!
Po vret fëmijë,nëna e t’moshuar, barbari
A s’po e shihni? Si hiena po sillet qyqari!
Duket se po i frikohet edhe fëmijës n’djep
Prandaj i rrënon shtëpitë dhe po i djeg
Ai po djeg dhe arat me drithin e bukës
Nga inati që po humb në frontin e luftës
Atje ku luftëtarët e lirisë vënë ligjet e veta
Atje s’u bëjnë punë as tanke, as raketa
As ushtarët e veshur me jelek antiplumb
Që kasapi i ballkanit çdo dit po i humb
Sepse kanë ardhë në tokë të huaj zot?
Për ata kjo tokë, gjithmonë do t’jetë
Për së gjalli varr, gjëmë edhe lot ?!
Nga plumbat e UÇK-së, shqiponja me fletë
Që tokës mëmë,gjithnjë do i dalë zot
A s’po i shihni viktimat,atje që po bien!?
Popullsi civile e pa armatosur fare !
Ti Evropë e Ti Amerikë që s’po ndien
Për mira jetë të pa fajshme shqiptare!?
Që po këputen lulëkuqet e rinisë !?
Nga dora e zezë gjakatare e Serbisë
E bota po bën sehir si n’arenë luftimesh
Ku luftonin njerëzit të mbroheshin nga bishat
Dhe perandorët kënaqeshin mes ulërimash
Që nxjerrnin njerëzit e coptuar dyshas !?
Shumë herë ju kërcënua madje edhe NATO
Se do ta sulmonte me aeroplana
Por nga kërcënimet dhe lavdet boshe !?
Veçse u shtuan vrasjet në fëmijë e nana
U dogjën fshatra të tëra,u bënë gërmadha
Armiku s’e ndal luftën pa i ra në brinjë
Shqiptarët s’dorzohen kurrë!Serbi le ta dijë
Njërët luftojnë për mbrojtje dhe për jetë
Kurse tjerët për të plaçkitur si në mesjetë
Fitorja pra i takon atij që mbrohet
Dhe jo atij që plaçkit të pasurohet
Në kuriz t’onin si gjithherë ngarkohet !
Bashkësia ndërkombëtare mos të kujtohet!?
Le të merr tani masa,se pastaj do jetë vonë
Tashmë Kosova po digjet në flakë
Vallë përse s’po e shuan Ti Evropa Plakë?
A s’nxore të paktën nga Bosnja mësim ?!
Apo hipokrizia të ka vu në kujtim !?
Sy ke,s’po shikon,veshë ke,s’po dëgjon !!
Me neglizhencën tënde ai po trimërohet
Madje tallet me botën dhe u përbuz!?
E ju silleni nëpër zyrat e tij,të veshur luksoz ?!
Neve na jepni mësime në vend se t’ndihmoni!
Na thoni të përmbahemi edhe pse na vrasin!?
Sikur i kemi nga dy jetë e tjerët kanë nga një?!
Neve na kanë vrarë,le të na vrasin përsëri !?
E ju se çani kokën për ne,o hijerëndë zotëri?!
Po ne të bashkuar si gjithherë do të mbrohemi
Në trojet tona ,atje ku frymon shqiptari
S’e kemi hiç dert se po na bombardoni
N’daç dhe nga Drenica deri n’Tetovë t’qëlloni
Sikur dhe Sharrit Plak, kodrat t’i rrafshohen
Ne hiç s’po tutemi e ju armiqë do t’mësoni
Shqiptarët kanë qëndresë dhe nuk dorëzohen
Ata luftojnë vazhdimisht për mbijetesë
Dhe plisin e bardhë, kurrë s’do ta shesin
Në e dashtë liria dhe për një do t’vdesin.
gusht ’98
majave të Sharrit


NJË JETË PËR NJË IDEAL

(Elegji për Shaban Polluzhën)

Jetën, gjithmonë e kemi mbajtur në trastë
edhe bukën bashkë me kripën në janxhik
hudhur mbi shpinë e lidhur me besën bast
gjithmonë i dham’ lirë, si për mik e armik ?!
Maleve të Drenicës kalonim janar-shkurtin-’45,
në gjamë?!
ditën, e hanim veten bashkë me diellin shpellave?!
natën, e matnim Atdheun e Vogël, me pëllëmbë,
për pëllëmbë!
ia numronim varret edhe yjet, me shpresën
se mbesëm .
derisa nuk ndodhi tradhëtia, që disa herë
na përsëritet
që nuk po ndalet, por shtohet, shtohet e bile rritet ?!
***
Atdheu gjithmonë kërkon therorë; flijohen
gjeneratat
për tokë e popull që as shitet e as blehet, sepse
ka Shabana, që lindi nëna luana, sa e sa tjerë
që s’harohen,
atyre fama u rri zgjuar përmbi kokë.
Kurorë për dëshmorë !
Për ty Drenicë, edhe sot s’po më ndalen lotët, dua
me t’qa !
me u zhgërry n’vaj, me e qetësu shpirtin e vram,
ah!-me e shpërla!
të shumta janë masakrat që mbi ty t’i kanë ba ,
kush pra?
bastardhët e kuq, si tufa hienash tu turrën n’hata ?!
në gjak t’kuq e t’zi, të kanë ngjyer dhe të kan’ la
të kanë fyer, të kan’ lyer, të kanë sha edhe të
kan’vra ?!
e ti s’lëshove za, se s’lëshove za dhe as ke qa, por
ke ba sevda !
vdekjen me sy hapur e ke pa?! Nuk je gjunjëzue !
por ke këndue! Nuk je tremb se ke luftue me u
çlirue...?!
e gjithë kët’ ta kanë ba për me t’shpërngul ?
që farën tënde me ta zhbë a me ta shkul
nga vendi yt, ul e përul?
në vendin tënd, një farë dreqi me e pru këtu
për me e ngul ?!
se kush tjetër kish me e ba, përveç sllavit tralala,
hordhitë çetnike të sojit karpatian, që
i thirrim shkja
pollën UDBA , OZNA e do Brigada t’kuqe- e Komitete
që i sollën Kosovës, shum’ të zeza; kijamete ?!
***
E!-ti Shaban, tribun i vegjëlisë së Shqiptarisë !
s’e njohe kurrë më parë rrenën dhe tradhëtinë
çiltërisht kape pushkën me shokët e idealit
për t’ia sjellë vendit të shtrenjtën Lirinë
As pesha e viteve, as dimri me acar
s’ta ngriu gjakun tënd në vlim,
për çlirim !
por fjala e dhënë, i rrejshmi premtim ?!
që laro shqiptarët ta dhanë n’Pazar
ta këputi shpirtin, kur n’besë të prenë
po ato, që në shqipen tënde të thirrën
n’takim
natën e errët ta zunë rrugën me rrenë
të rrethuan shpirtshiturit, me një arsyetim !
mbrojtjen e Kosovës, ta quajtën dezertim….?!
Ne qemë vrarë, prerë dhe plaçkitur
edhe më parë, kur nuk qe lufta e dytë
vendi ishte djegur, kallur e zhuritur
nga luftërat Ballkanike që na patën mbytë?!
***
Por, kjo tani, më e rënda na doli, se
brenda vetë neve, dreqi i kuq, dreqër të zi polli
e ti ranë vëllai-vëllait; ballistë e partizanë
njërët, plisin e bardhë mbështjellur me flamur
tjerët, yllin e kuq pesëcepësh ngjitur në ballë
nuk u vranë të tjerë përveçse shqiptarë ?!
nga plane sllave me qëllime të caktuara
në kuzhinat ruse, bukur mirë të gatuara , e
me do mëlmesa-Bylmeza vendi, të ftilluara ?!
***
Ah!- mendjeletët, shqiptarët medet ?!
i besuan mobilizimit të shpikur nga sllavi
njërët ia mësyjnë Pazarit, tjerët në Fushë të
Sremit
pa burra e lanë tërë vendin e vet ?!
ata që su pajtuan dhe nuk i kapi kalemi
u derdhën maleve, shkrepave luftuan
tjerët ndër burgje i masakruan i mbytën !
nëpër puse e gropa, si t’ishin kafshë i qitën...!?
***
Ti Drenicë, moj Zonja Plakë
Ato ditë janari ’45, me acar
Ti e tëra po digjeshe flakë
Se s’pranoshe me t’qitë n’pazar
Tu dhims kulla me plis të bardhë
Ajo kullë aty në Rezallë
Qi i ndejti armikut ballë për ballë
Ç’kuptim të djeshëm mba ?
E ç’simbol të sotëm ka ?
Një kullë në Rezallë të Drenicës
Emblemë e qëndresës dhe sakrificës !
... e shkruar në maj ...
në përvjetorin Heroit


SHPJEGIM S'GJEJË DOT

Shpjegimin nuk e gjej dot
Për shumë pyetje, për mot
Që lidhen me Çështjen Tonë
Që sot mua kot më mundojnë
Por i kanë munduar dhe të tjerët
Para meje,madje shumë më herët
Ndoshta do t`i mundojnë akoma
Edhe shumë tjerë më vonë
Gjithmonë të brengosur
Për të ardhmen tonë
Që është bërë lëmsh
Dhe rri sikurse litari
I futur tërkuzë në thes
Përcjellur e pritur
Nga brezi në brez
Shpjegimin e kërkoj
Nëpër kohë ndjekur
***
Shpjegim pata kërkuar
Nga njerëz ndër shekuj
Në përpjekjet e tyre
N’përflakje t’përgjakura
Paguar dhe me jetë
Luftuar heroikisht
Se rramë dëshmorë vetë
Shpjegimin e kërkova
Madje duke bredhur
Nëpër Trojet e mia, dhe
Duke ecur zbathur
Nëpër fshatra e kërkova
Por dhe qytete të reja
E të vjetra i përshkova
Shpjegimin prapë se gjeta
Kërkimin më tej e vazhdova
Me aq forcë sa më jepte jeta
E sa më lejonin rrethanat
Si të huajat ashtu dhe tonat
Por su ndala, as nuk pushova
Sepse zgjidhjen e kërkova
***
Edhe tek ekonomia
Por edhe tek politika, tek
Sinqeriteti dhe dinakëria
Tek forca e tek strategjia
Edhe e të mive shokë e miq
Edhe e të huajve miq e armiq
Shpjegimin e kërkova prore
Edhe tek dija dhe shkollimi
Nder libra bibliotekash
E klasa shkolle
Madje ndër vende arkiologjike
Të tashme dhe antike….
***
Te punësimi dhe emancipimi
Por nuk e gjeta asgjëkundi
As tek fillimi, as tek fundi
Si në kohë të vështira
E si në kohë të Artë
Nga gjithë kjo që ceka
Këtu pak më lartë.
***
Merre me mend mundimin,
Të shkretin, seç hiqte
Prej torturash e shantazhesh
Nga më të ndryshmet
Sepse donte ta nxirrte
Mbase të drejtë shpjegimin
Nga vetë shpirti i çiltër
Për jetëzgjatje filtër
Dhe zemër të zjarrtë
E fisit tim Fjokart
Ngarkuar me punë,
E realizuar në vepra
Gjithmonë në vazhdim
***
Drejtuar, ecur e shkuar
Përherë dhe gjithnjë
Nga Lindja n’ Perëndim.
Pas Diellit n’përqafim.

(shkëputur nga libri “KTHIM TEK RRËNJËT“ (20 poemtha e ndjekin autorin) 

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Mimoza Eliona Osmani - Një gotë verë do fantazia

Mimoza Eliona Osmani Një gotë verë do fantazia .. Dy i duam unë dhe ti Të tretën nis poezia... Dy oaze .. dashuri.. Si në qiell yll...